Kërkohet Universitet kualitativ
Qendra për Aktivizimin e Rinisë (Youth Activism Center – YAC) sot ka organizuar debat për Universitetin Publik të Gjilanit. Në këtë debat u flit për stafin akademik, kualitetin e hapësirën.
Arben Dërmaku fillimisht falënderoi pjesëmarrësit si dhe përgëzoi organizatën “Qendra për Aktivizimin e Rinisë” për iniciativën qe kanë marrë për të zhvilluar një debat me temë Universiteti Publik i Gjilanit.
Dërmaku prezantoi situatën dhe mbarëvajtjen e punëve rreth themelimit të Universitetit.
“Vendimi për themelimin e UPGJ është marrë më 11 Mars 2013 kurse ratifikimi është bërë më vonë” tha ai.
Dërmaku tha se më 1 Tetor fillon punën Universiteti i Gjilanit, ku si staf akademik njëherë do të jenë profesorët e UP-së, por gradualisht do të inkuadrojmë kuadro të reja. Poashtu rendësi të madhe do te ju kushtohet asistenteve, pra të punësojnë sa më shume asistentë të cilët me punën dhe angazhimin e tyre do të kalojnë në profesorë.
“Ideja kryesore është qe ky universitet të ketë potencial që në të ardhmen të krijojë vlera te mëdha arsimore” tha Dërmaku.
Profesori Sabri Tahiri tha se UPGJ është një iniciative e kamotshme që tash po na jepet mundësia ta bëjmë realitet.
Universiteti Publik i Gjilanit do të jetë një institucion i arsimit të lartë, në të cilin do të përfshihen 11 komuna, prej të cilave 3 do të jenë nga Lugina.
Tahiri tha se kanë bërë marrëveshje me UP-në sa i përket kuadrit për ndihmë, derisa ta bëjmë stafin akademik.
Problem është hapësira, por për vitin e parë na është liruar një pjesë e Fakultetit të Edukimit, kurse për vitet e tjera mendohet të ndërtojmë një kampus të madh universitar tha ai.
Tahiri tha se jemi në dispozicion që të bëjmë më të mirën për studentët e UPGJ-së.
Selim Daku, Kryetar i Unionit të Studentëve Pro Europian, tha se Universiteti i Gjilanit është Universitet i vonuar, dhe për këtë është fajtor MASHT, sepse është vështirë që në tetor të krijohen kushte praktike për punë.
Ai tha se janë krijuar vetëm dy drejtime të reja dhe jo një Universitet i ri.
“Universitetin e Gjilanit nuk e shoh të krahasueshëm me UP-në, sepse UP është në gjendje të keqe, kurse UPGJ-në e shoh si një Universitet të fortë në Kosove” tha Daku.
“Nuk e dimë sa prorektorë, njësi akademike, dekanë, shefa dhe departamente do të krijohen. Në UPGJ duhet të krijohet sistemi online për menaxhimin e të dhënave” shoi Daku.
Ne fund, Daku tha se shpresojmë që ky universitet të jetë vatër e diturisë për të gjithë komunat.
Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Gjilanit, Veton Nevzadi, tha se Gjilani ka pasur nevojë për universitet edhe më herët.
Kam një përshtypje që po prodhojmë kuadro në profile qe s`ka nevojë, tha Nevzadi.
“Duhet të fokusohemi me njerëz qe kanë kryer shkolla nepër vende të ndryshme botes dhe jo vetëm kuadro rreth regjioneve të amanoravës, poashtu edhe krijimin e drejtimeve të reja qe nuk kanë qenë, pra është mire t’i shohim nevojat e universiteteve” tha në fund Nevzadi.
Pjesëmarrësit kërkuan kushte më të mira për arsimim, të ketë literature të nevojshme, të ketë biblioteka dhe hapësira pune, kostoja të mos jetë e lartë, të ketë diversitet të drejtimeve, të kenë qasje personat me aftësi te kufizuara etj.
Ndërkaq pas debatit, drejtori i YAC-së, Mentor Dërvodeli deklaroi: “Një ndër hapat më të mëdhenj që ka bërë Gjilani është shndërrimi i qytetit në një qytet universitar. Arsimimi është prioritet për të rinjtë tanë. Kjo është një mundësi më e mirë për t’i ulur kostot e shpenzimeve, pasi që fakultetet i kemi më afër”.