YAC inkurajon qytetarët të dalin në zgjedhje
Qendra e Aktivizimit të Rinisë (Youth Activism Center – YAC) i ka bërë thirrje të gjithë atyre që kanë të drejtë vote të dalin në zgjedhje dhe të votojnë për të preferuarin e tyre.
“Votimi është obligim moral i çdo njeriu që ka të drejtë vote. Pa votuar nuk mund t’i arrijmë ato që dëshirojmë. Nëse nuk votojmë, atëherë nuk kemi të drejtë as të ankohemi”, tha Mentor Dërvodeli, drejtor i YAC-së.
Dërvodeli vazhdoi duke thënë se “Voto e mos u anko!” është motoja e Qendrës së Aktivizimit të Rinisë.
“Para se të jem përfaqësues i organizatës rinore, vetë personalisht jam i ri. Andaj i bëjë thirrje, jo vetëm të rinjve, por të gjithë atyre që kanë të drejtë vote, të dalin e të votojnë për të preferuarin e tyre. Nëse nuk kanë të preferuar, atëherë të votojnë atë që mendojnë që e meriton. Nëse mendojnë që asnjëri nuk e meriton, atëherë të votojnë për atë që mendojnë që është më së paku i keq nga kandidatët”, shtoi Dërvodeli.
“Gjithmonë nga më herët dijmë që nëse kemi dy ose më shumë të këqija, duhet ta zgjedhim atë që është më pak i keq se të tjerët, pra të zgjedhim më të mirin nga të këqijtë. Këtë nuk e them për kandidatët, por e them për votuesit që mendojnë që asnjëri nga kandidatët nuk meriton të votohet”, vazhdoi Dërvodeli.
Dërvodeli vazhdoi për Bleje.NeT duke thënë se: “Unë mendoj që ka potencial nga kandidatët. Duhet të jemi të vëmendshëm kë të votojnë, pasi fituesi do të udhëheqë me komunën për 4 vitet e ardhshme. Por cilido që të jetë ai që do të fiton, shpresoj që të punoj në të mirë të komunës dhe qytetarëve të saj”.
“Nuk ka rëndësi se kush fiton. Rëndësi ka që fituesi të punoj në të mirë të Gjilanit dhe Gjilanasve, e jo të punoj për interesa të veta dhe personave të ngushtë të tij. Shpresoj që cilido që të fiton, ta bëjë më të mirën e tij për qytetin tonë”, përfundoi Dërvodeli.